Kompanitë shqiptare dhe të huaja të ndërtimit prezantuan dje në ambientet e panairit "Pranverë 2009", që është hapur në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë teknologjitë bashkëkohore dhe moderne që përdoren sot në këtë sektor. Përfaqësues të shoqatës së ndërtimit u shprehën se gjatë vitit të fundit ky sektor ka shënuar rritje të konsiderueshme të investimeve në drejtim të teknologjive të prodhimit për materiale të ndryshme. Presidenti i shoqërisë Expo P.A, Agron Jano, vlerësoi interesin në rritje të bizneseve dhe investitorëve për të marrë pjesë në këto aktivitete të promovimit. Sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka rritur sigurinë e bizneseve veçanërisht të huaj për të investuar në Shqipëri në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në panairin ndërkombëtar "Pranverë 2009" marrin pjesë mbi 70 kompani e firma të ndryshme të biznesit, që operojnë në sektorët ndërtim, telekomunikacion, teknologji etj. Ky aktivitet do të qëndrojë i hapur në Tiranë deri në datën 13 prill.