Kriza ekonomike botërore mund të ketë një përfitim për Shqipërinë kryesisht në biznesin e pasurive të paluajtshme. Në momente kur ky treg po vuan nga një krizë besimi në SHBA apo në
Evropë, Shqipëria është ende në hapat e parë të këtij tregu, por që ky element mund të kthehet në një avantazh për Shqipërinë. Ekspertët e këtij tregu e konfirmojnë këtë fakt duke thënë se mjaft investitorë të huaj po kthejnë vëmendjen nga Shqipëria për të investuar në tregun e pasurive të paluajtshme. Ilir Konomi, pronari i kompanisë “Albania-Estate”, thotë se kohët e fundit në Shqipëri po mbërrijnë investitorë të huaj. “Ende Shqipëria është në fillimet e saj me tregun e huaj. Por afrimi i krizës do të sjellë edhe një vëmendje më të madhe drejt vendit tonë pasi çmimet janë më të lirat të mundshme në Evropën Lindore. Tregjet e mirënjohura për pronat në lindje si Bullgari, Rumani, apo edhe Kroaci e Mal i Zi janë bërë edhe më të vështira për investitorët, individë të huaj. Në qoftë se quan me “biznese të huaja” kompanitë e real estates me kapital të huaj që operojnë këtu përgjigja është po. Ndërsa kompani të huaja ndërtuese apo investitorë numërohen ende me gishta. Ka interes të vazhdueshëm për të blerë sipërfaqe toke për ndërtime të mëvonshme apo për spekulim në kuadër të afrimit të Shqipërisë me pjesën tjetër të
Evropës”, - thotë Konomi. Ai thotë më tej se Shqipëria është ende larg kësaj krize të mundshme dhe për këtë jep disa arsye. “Shqipëria është ende larg dhe e paintegruar mirë me tregjet ndërkombëtare. Ulje çmimesh apo staniacion është ende për t’u sqaruar në vendin tonë.
Emigrantët shqiptarë kanë qenë ata që kanë qenë blerësit më aktivë në tregun vendas. Këta do të shoqërohen me pasoja për shkak të veshtirësive që do të kalojnë ekonomitë e vendeve fqinje, Greqi apo Itali. Dy mund të jenë pasojat që kjo mund të sjellë: E para (ka filluar të ndihet), duke parë pasigurinë, vendet ku punojnë e banojnë, emigrantët tërheqin kursimet nga bankat dhe po mundohen të investojnë në real estate në Shqipëri. E dyta: rënia e ekonomive që do të prekë së pari fushën e ndërtimit ku janë përqendruar një pjesa e konsiderueshme (në mos pjesa më e madhe emigrantëve shqiptarë), do të rezultojë në rënie të të ardhurave për shkak të rritjes së papunësisë në mes emigrantëve ose edhe punë gjithmonë edhe më sezonale. Për këto arsye ata mund të marrin në konsideratë të rikthehen në vendin tonë. Dhe përkohësisht kjo lëvizje mund të shërbejë si amortizim për këtë rënie në shitjet e apartamenteve”, - thotë Ilir Konomi. Sipas tij, këto arsye ndikojnë që në Shqipëri të mos ketë ulje çmimesh në fushën e ndërtimeve. “Nuk bëhet fjale ende në Shqipëri të ketë ulje çmimesh, por nuk do të jetë larg kur presioni nga tregu financiar dhe kërkesa e ulët të rezultojë në staniacion apo ulje çmimesh… Në këto vitet e fundit bankat shqiptare kanë financuar projektet në fushën e ndërtimit, si edhe blerjet e apartamenteve.
Pikërisht bankat janë shumë më konservatore tani. Ndërtuesit kanë dhënë shenja mungese likuiditetesh së fundmi. Dhe kjo është e mjaftueshme që bankat të kuptojnë “stopimin” e shitjeve”, - mendon Konomi. Ai shton se në tregun shqiptar mund të gjesh prona me çmime më të leverdishme, kryesisht në zonat bregdetare të jugut. “Çmimet në Sarandë apo Vlorë në vijë të parë me detin lëvizin nga 550- 800 euro për 1 metër katror. Ndërtime tepër cilësore, me koeficient të ulet shfrytëzimi dhe me hapësira të organizuara në trajtën e një kompleksi lëvizin nga 850-1000 euro për 1 metër katror, madje edhe më lart”, - shtoi Konomi.