Në një intervistë dhënë Radios Europa e Lirë në gusht 2003, dr. Musa Ahmeti flet për zbulimin e dokumentave të vjetra të shkruara në gjuhën shqipe:
"Bëhet fjalë për dokumenta, të cilat janë nga shekulli i XIII deri në shekullin e XX, të cilat ishin të pabotuara dhe të panjohura për studiuesin. Dokumenti më i hershëm, që ne kemi në dorë, është i vitit 1210 me autor Teodor Shkodranin, i cili është i tëri në gjuhën shqipe.
Ndërsa në dokumentet në vazhdim është një dokument nga viti 1407, që e ka zbuluar kolegja Etleva Lala, dokument që ruhet në arkivin sekret të Vatikanit. Është dhe një fjalor etimologjik me terminologji detare nga viti 1595 me autor Julio Banoviq, që ruhet në Arkivin e Splitit. Dorëshkrim tjetër me mjaft peshë është "Ceta e Profetëve" e Bogdanit, e cila ruhet në një nga arkivat e Dubrovnikut. Pastaj kemi pesë tekste të botuara, por të panjohura nga albanologët, për shkak se nuk ishin bërë studimet e caktuara, me autor Zef Skiroin e vjetër, cili ka vdekur në vitin 1769. Pas kësaj kemi një dokumet tjetër nga viti 1704, që përmban 18 mallkime në gjuhën shqipe nga Kodiku i Kryeipeshkvisë së Shkodrës, i Antoni Jebabit, i cili nuk është i botuar dhe nuk është i njohur studiuesve. Këtë e themi me përgjegjësi të plotë. "
"... analizat e bëra në disa laboratorë të specializuar për gjëra të tilla, saktësojnë se dokumenti (i Teodor Shkodranit) është shkruar në vitin 1210. Dhe kjo pos të dhënave të tjera, që janë të shkruara dhe i ka bërë autori me dorën e tij.
Në mesin e analizave është bërë analiza e ngjyrës, e cila e dëshmon kohën e botimit me saktësi, është bërë analiza e stilit të shkrimit, që është stili beneventan, që dihet me saktësi se është përdorur në qytetet e bregdetit Adriatik e jo në vende të tjera dhe dihet me saktësi kur ka përfunduar ai stil.
Njëherësh është bërë dhe analiza kimike e miniaturave dhe inicialeve, të cilat janë të praruara në flori. Është bërë analiza e mënyrës së përpunimit të tyre...
Pos kësaj edhe përmbajtja e ngjarjeve emrave, dhe personaliteteve që përmenden aty janë të sakta. Dorëshkrimi është me autograf, që do të thotë e ka shkruar autori..."
"Sa i takon anës së përgatitjes libri është gati për botim. Pritet që botuesi, revista "Ekskluzive", në një të ardhme shumë të shpejtë ta botojë. Ofertat janë marrë nga disa shtypëshkronja dhe pritet ajo më e favorshmja, pasi kërkohen kushte speciale për botim. Bëhet botimi fototipik, që do të thotë një me origjinalin, formati një me një. Dhe kjo që studiuesit të kenë mundësi të bëjnë krahasime, studime, vlerësime dhe saktësime. Njëherësh kemi bërë transkriptimin si dhe një koment, që është mjaft voluminoz. Vec kësaj dorëshkrimi ka zgjuar debate është e vërtetë dhe ne i kemi ndjekur me vëmendje të gjitha debatet.
Mirëpo ka një paqartësi që lidhet me atë se si mund të bëhet debat për një gjë që studiuesit e tjerë nuk e kanë pasur në dorë. Ata flasin me hamendje, dhe më e keqja është se flasin për autorin, për të cilin kanë pak ose nuk kanë fare të dhëna.
Ngatërrohet shpeshherë Teodor Shkodrani me Teodor Skutariotin. Këta janë dy personalitete krejt të ndryshme të botës shkencore e kulturore të mesjetës.
Derisa i pari është shkodran, shkruan në gjuhën shqipe, i dyti është nga Iskydar i Grukës së Dardaneleve të Bosforit. I pari ka dhe vepra në gjuhën latine e greke, por janë fare të panjohura."
Krahaso me atë që dr. Musa Ahmeti kishte shkruar në shtator 2002:
"...Rëndësi të veçantë ka edhe fakti se autor i këtij shkrimi është një shqiptar nga Shkodra, mjaft i njohur në rrethet shkencore-kulturore të kohës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Bizant, Romë, Raguzë, etj. Autori, Teodor Shkodrani, në fund të dorëshkrimit të tij na ka lënë të dhëna shumë të çmuara për veten e tij, për origjinën dhe për përgatitjen profesionale.
...Të shtojmë që pos këtij dorëshkrimi në gjuhën shqipe, në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, të po këtij autori ruhen me dhjetra dorëshkrime në gjuhët greke dhe latine, të cilat nuk janë botuar deri më sot. Tematika e këtyre dorëshkrimeve është e ndryshme, por dominon ajo teologjike dhe historike. Ka edhe disa përkthime dhe redaktime të veprave të autorëve antikë. "
Dr. Musa Ahmeti e mbyll intervistën e tij duke thënë:
"Kemi një dorëshkrim nga Manastiri i Grota Feratës, i cili është po ashtu i shekullit të XIII. Kodiku është i tëri në gjuhën greke, por ka një faqe e gjysmë në gjuhën shqipe me shkronja latine. Atë së shpejti do ta botojmë, është në përgatitje e sipër.
Këtë nuk e kemi gjetur ne të parët, fillimisht për të ka shkruar Mit''''hat Frashëri në gazetën e tij "Dituria" në vitin 1927.
Është e pabesueshme që studiueve tanë i ka shpëtuar një gjë e tillë.
Jemi në hulumtim e sipër, bëjmë kërkime shkencore, ajo që na shtyn të shpresojmë se ka edhe botime më të vjetra është një e dhënë që ofron vetë Teodor Shkodrani, në fund të dorëshkrimit të tij, ku ka bërë një bibliografi të punimeve të shfrytëzuara për pjesën e tretë të dorëshkrimit të tij, Historinë. Ka shfrytëzuar 34 autorë, në mes të tyre 5 autorë janë shqiptarë me tituj veprash shqip. Janë anale ose kronika në gjuhën shqipe, por ne nuk kemi gjurmët e sakta se ku ndodhen këto dokumenta. Mbetet që hulumtimet e ardhshme ta dëshmojnë një gjë të tillë. "